Ukraina po sheh “rezultate të rëndësishme” nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Gjermanisë, tha të dielën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht valëve të sulmeve ajrore ruse që përfshinin edhe sulmin e një qendre për transfuzionin e gjakut.
Rusia raportoi se kishte rrëzuar një dron që po shkonte për në Moskë në sulmin e tretë të tillë brenda një jave, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët thanë se Ukraina kishte goditur dy ura që lidhin Krimenë me kontinentin.
Të dyja vendet i kanë shtuar sulmet ndaj trupave, armatimit dhe infrastrukturës së njëri-tjetrit, ndërsa Ukraina kërkon të zhvendosë forcat ruse që janë në të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore që nga pushtimi i tyre vitin e kaluar.
Kreu i Krimesë i emëruar nga Moska tha se ura Chonhar në gadishull, e cila u aneksua nga Moska në vitin 2014, ishte dëmtuar nga një sulm raketor. Një tjetër nga tre lidhjet rrugore midis Krimesë dhe pjesëve të okupuara nga Rusia të Ukrainës kontinentale, pranë qytetit të Henichesk, u granatua dhe një shofer civil u plagos, tha një zyrtar i emëruar nga Moska.
Në fjalimin e tij të natës me video të dielën, Zelensky tha se sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë Patriot të ndërtuar nga ShBA-ja dhe IRIS-T të Gjermanisë, po tregoheshin “shumë efektivë” dhe “tashmë kishin dhënë rezultate të rëndësishme”.
Zelensky tha se Ukraina kishte rrëzuar “një pjesë të konsiderueshme” të sulmeve të Rusisë gjatë javës së kaluar, duke përfshirë 65 raketa të llojeve të ndryshme dhe 178 drone sulmuese.