Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve që ka marrë nga një therje me thikë në Dobërçan të Gjilanit.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sontme.
Lidhur me rastin, nga Spitali i Gjilanit thonë se viktima 29 vjeçar është goditur shtatë herë me thikë.
“Personi me inicialet A.B i lindur në vitin 1994, ka ardhur në spitalin e Gjilanit nga fshati Dobërçan me 7 plagë, një kryesorja në kokë, të tjerat gjoksit trupit edhe ka vdekur në vendin e ngjarjes në spital ka ardhur pa shenja jete”, ka thënë për Dukagjinin Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
Më tej, ai ka thënë se është konstatuar vdekja e viktimës.
“Është thirre mjekësia ligjore, e kanë marrë trupin e pa jetë për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Emini.
Në anën tjetër, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari për rastin është arrestuar.
“Me datën 16.12.2023 rreth orës 21:00 kemi pranua informacion se një person mashkull kosovar nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë. Viktima nuk ka arritur që të u përballoj plagëve të shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në lidhje me këtë rast zyrtarët policor kanë arrestuar një të dyshuar. Njësitet policore relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku aktualisht janë duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.