Thyhet kriza e madhe: Këtyre qytetarëve të Kosovës ju hiqet gajle e madhe

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka dhënë kontrata në vlerë të përgjithshme prej 4 milionë e 258 mijë e 317 euro e 4 centë, për furnizimin me 12 lloje të ndryshme të barnave nga lista esenciale.

Sipas dokumenteve të siguruara nga IndeksOnline, vlera fillestare e parashikuar e tenderit ishte 5.5 milionë euro, ndërsa aktiviteti i prokurimit ishte ndarë në 14 lote, varësisht nga lloji i medikamenteve të kërkuara.

Nga gjithsej 14 lote, SHSKUK-ja ka arritur të sigurojë kontrata për 12 prej tyre, ndërsa për medikamentet “cisplatin” dhe “piperacillin + tazobactam” ende nuk është dhënë kontratë.

Sipas dokumentacionit të tenderit, asnjë nga kontratat e dhëna nuk e tejkalon vlerën e parashikuar për lotin përkatës.

Kontrata me vlerën më të lartë i përket lotit të 13-të, për të cilin është shpallur fituese kompania “MEDITECH”.

Kjo kompani ka fituar kontratën në vlerë prej 1 milion e 707 mijë e 744 euro e 60 centë, për furnizimin me 12 mijë e 366 njësi të medikamenteve që stimulojnë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Këto barna përdoren për trajtimin e formave të caktuara të anemisë.

Një tjetër kontratë me vlerë të konsiderueshme i është dhënë kompanisë “Agani L.T.D SH.P.K.”, e cila do të furnizojë SHSKUK-në me 2 mijë e 934 njësi të medikamentit “coagulation factor IX”.

Vlera e kësaj kontrate është 469 mijë e 440 euro, ndërsa medikamenti përdoret për trajtimin dhe parandalimin e gjakderdhjes te pacientët me hemofili B.

Kompania “Santefarm” ka fituar kontratën në vlerë prej 704 mijë e 904 euro për furnizimin me 20 mijë e 432 njësi të medikamentit “etanercept”, i cili përdoret për trajtimin e disa sëmundjeve inflamatore dhe autoimune.

Ndërkaq, grupi i operatorëve ekonomikë “GENE MEDICALS SH.P.K.” dhe “EDNAFARMA” ka fituar kontratën prej 187 mijë e 795 euro për furnizimin me 1 mijë e 633 njësi të medikamentit “trastuzumab”, i cili përdoret në trajtimin e disa llojeve të kancerit.

Për furnizimin me 128 mijë e 946 njësi të medikamentit “midazolam”, që përdoret për sedacion gjatë procedurave mjekësore, SHSKUK-ja i ka dhënë kompanisë “MEDI MAX” kontratë në vlerë prej 39 mijë e 973 euro e 26 centë.

Kompania “DELTAPHARMA-KS SH.P.K.” është shpallur fituese e kontratës për furnizimin me 35 mijë njësi të medikamentit “nilotinib”, i cili përdoret për trajtimin e një forme të leukemisë. Vlera e kësaj kontrate është 455 mijë e 700 euro.

Gjithashtu, për furnizimin me 4 mijë e 666 njësi të medikamentit “sunitinib” janë ndarë 27 mijë e 529 euro e 40 centë.

Kompania “Santefarm” ka siguruar edhe një kontratë tjetër në kuadër të këtij aktiviteti të prokurimit. Për furnizimin me 40 mijë e 833 njësi të medikamentit “sorafenib”, i cili përdoret ndër të tjera për trajtimin e kancerit të mëlçisë, janë ndarë 109 mijë e 24 euro e 11 centë.

Ndërkohë, kompania “Liri-Med” ka fituar kontratën në vlerë prej 335 mijë e 172 euro për furnizimin me 9 mijë e 858 njësi të medikamentit “gemcitabine”.

Për furnizimin me 37 mijë e 800 njësi të medikamentit “imatinib”, SHSKUK-ja ka ndarë 60 mijë e 102 euro. Ky medikament përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit.

Gjithashtu, kompanisë “MEDI MAX SH.P.K.” i është dhënë kontratë në vlerë prej 39 mijë e 132 euro e 67 centë për furnizimin me 6 mijë e 533 njësi të medikamentit “temozolamide”, i cili përdoret për trajtimin e disa tumoreve të trurit.

Kompania “Liri-Med” ka fituar edhe kontratën për furnizimin me 840 njësi të medikamentit “pemetrexed”, në vlerë prej 121 mijë e 800 euro. Ky medikament përdoret ndër të tjera për trajtimin e disa llojeve të kancerit të mushkërive.

Të gjitha medikamentet e përfshira në këto kontrata i përkasin listës esenciale të barnave, ndërsa furnizimi do të bëhet përmes Barnatores Qendrore të QKUK-së dhe SHSKUK-së.

Sipas kushteve të përcaktuara në dokumentacionin e prokurimit, kontratat parashihen të realizohen brenda një periudhe prej 24 muajsh.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse SHSKUK-ja do të iniciojë procedura të reja të prokurimit për dy llojet e medikamenteve për të cilat ende nuk është arritur të sigurohet kontratë.

Vlera e përgjithshme e kontratave të dhëna, sipas raportimit të IndeksOnline, është 4,258,317.04 euro.

✖