Shërbimi për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian (EEAS) ka bërë të ditur agjendën e takimit të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ndodh të enjten më 14 shtator.
Takimet nisin në ora 9 të mëngjesit, kur kryediplomati evropian, Josep Borrell, dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, mbajnë së pari takime të ndara njëherë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e më pas me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pastaj mbahet takimi trepalësh, ku pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur më 27 shkurt, dhe më pas ato që Brukseli I quan “ çështjet aktuale”
Sipas njohësve të fushës së dialogut Kosovë-Serbi, në këto çështjet aktuale hyjnë me patjetër diskutimi i situatës në veri të Kosovës ; Siç është shtensionimi në komunat veriore, pastaj plani qeveritar për të mbajtur zgjedhje lokale, por edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për këto çështje për Klan Kosova, kanë folur analistja politike, Donika Emini dhe Adrian Zeqiri, drejtor në Qendrën Evropiane për çështjet e minoriteteve me seli në Prishtinë.
Takimi i 14 shtatorit është i pari mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, që nga rritja e tensioneve në veri të Kosovës, ku serbët lokal po kundërshtojnë kryetarët e komunave që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit e të cilat zgjedhje u bojkotuan nga serbët lokal që janë shumicë në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë (veri).
Për herë të fundit kryeministri i Kosovës e presidenti i Serbisë, u takuan në Bruksel nën ndërmjetësim e lehtësim të BE-së më 2 maj 2023.