Policia e Kosovës jep detaje për armatimin e rëndë që u konfiskua në Zveçan (FOTO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se policia ka zhvilluar një bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

Në lidhje me këtë bastisje dha detaje edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, i cili theksoi se nuk ka persona të arrestuar por të dyshuar.

“Është duke u zhvilluar një hetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria e Krimeve të Rënda, duke marrë parasysh sasinë dhe numrin e armëve ka mundësi që ky vend të jetë edhe depo ne nuk kemi të arrestuar për momentin por persona të dyshuar”, u shpreh Elshani.

“Ka qenë objekti ndihmës i shtëpisë, por jo shtëpi banuese”.

Elshani, ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në veri.

“Në pjesën veriore situata është delikate, e qetë, por stabile, duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend”.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur dhe konfiskuar:

  1. Katër (4) armë AK 47,
  2. Tridhjetë e katër (34)  karikatorë të armës AK 47,
  3. Një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë (1546) fishekë të kalibrave të ndryshëm,
  4. Tetë granata dore,
  5. Një (1) minë anti-këmbësorie,
  6. Dy (2) gazë-maska,
  7. Dy (2) çanta ushtarake,
  8. Një (1) shok-bombë,
  9. Dy (2) fishekë-zjarre,
  10. Dy (2) optika të armës,
  11. Një (1) thikë ushtarake,
  12. Një (1) maskë ushtarake,
  13. Dy (2) rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë,
  14. Pesë (5) çanta të vogla ushtarake,
  15. Një (1) rrip i pajisjeve ushtarake,
  16. Një (1) këllëf i pistoletës dhe
  17. Pajisje për pastrim të armatimit”.