plaget

Profesor i Letërsisë në Universitetin e Gjilanit, Flamur Maloku, sot ka bërë publikimin e librit të tij më të ri.

Në librin që mban titullin “Plagët e luftës”, ai flet për vuajtjet që ka kaluar populli ynë.

Ndryshe, “Plagët e luftës” vjen si një dhuratë për veten, pikërisht në ditëlindjen e profesorit Maloku.

Më poshtë mund të lexoni një fragment nga parathënia:

Plagët e Kosovës, të popullit shqiptar të saj, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme. Dërrmuese. Gjurmët e tyre janë sot kudo në Kosovë.

I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që nuk ka një plagë të luftës.

Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara.

Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme. Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar.

Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë.

Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike.

Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët e Kosovës.