Të premten janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndërsa vendimi për të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla pritet të shpallet më 21 prill në ora 13:30.
Gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, e cila ka ndjekur nga afër të gjitha seancat gjyqësore të këtij rasti, ka theksuar në emisionin “Kosova Today” se gjatë këtij procesi kanë ndodhur dy gabime nga trupi gjykues, të cilat mund të kenë ndikim në fazat e mëtejshme të rastit.
Sipas saj, një nga gabimet ka ndodhur që në seancën e parë, kur të akuzuarve u është kërkuar të deklarohen për fajësinë.
“Në vlerësimin tim, deri në këtë proces sa ka zgjatur janë bërë dy gabime nga trupi gjykues. E para ka qenë në seancën e parë dhe tjetra është sot. Te seanca e parë, kujtojmë se kur i ka pyetur trupi gjykues nëse dëshiron treshja të deklarohet për fajësinë, Naim Murseli dhe Granit Plava janë deklaruar duke u mbrojtur në heshtje, tjetri duke e mohuar fajin. Megjithatë, Kushtrim Kokalla ka thënë se nuk dua të deklarohem pa u konsultuar me avokatin. Konsulta nuk i është lejuar dhe i është marrë ky deklarim i tij si mospranim fajësie, dhe ky besoj se ka qenë një gabim, për shkak se është dashur me u fol pikërisht sot, të përmendet dhe të kërkohet që të shtjellohet edhe më tutje, duke përmendur po ashtu se nuk e ka përmendur procesverbalin për këtë arsye, dhe besoj se do të jetë një problem që do të shfaqet edhe në procedurat e apelit”, ka deklaruar Tërshani.
Ajo ka përmendur edhe një çështje tjetër që lidhet me provat e propozuara nga pala e dëmtuar.
“Po ashtu, kërkesa e vazhdueshme e avokatit të familjes Ademaj për të paraqitur disa prova shtesë, dhe unë i kam parë përpjekjet e avokatit që t’i fusë në shkresat e lëndës, është në momentin kur Kushtrim Kokalla shkon në hotelin ku e kanë planifikuar të qëndrojnë me Naim Murselin dhe aty nxjerr një ‘duç’ parash dhe e zgjedh një 20-she për ta dhënë aty, për të paguar shërbimin që e kanë marrë, dhe kjo bie në kundërshtim me deklarimin e tij ku ka thënë se nuk ka paguar, nuk ka dhënë para, dhe kur është një video e tillë është tejet e rëndësishme me u paraqit dhe me u marrë si provë”, tha mes tjerash Tërshani.
https://www.youtube.com/watch?v=fCvfen_2HE4


