Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar ndryshimet në Qeveri, të njoftuara pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Nënshkrimi i kreut të Shtetit erdhi menjëherë pas kthimit të tij nga vizita dyditore në Kazakistan, duke i hapur kështu rrugë votimit të dekreteve në Parlament.
Më pas, ministrat e rinj duhet të paraqiten para presidentit Begaj për të bërë betimin, moment ky që shënon edhe nisjen zyrtare të detyrës për ta.
Të hënën, Rama njoftoi ndryshimin e 40% të kabinetit të tij qeveritar, duke lëvizur 7 ministra nga drejtimi i dikastereve përkatëse.
Ministri Financave dhe Ekonomisë do të jetë Ervin Mete në vend të Delina Ibrahimaj, që kalon ministre Shteti për Sipërmarrjen. Igli Hasani do të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, në vend të Olta Xhaçkës që del nga kabineti.
Ogerta Manastirliu kalon te Arsimi, ndërsa në vend të saj te Shëndetësia shkon Albana Koçiu.
Kthehet në Qeveri Anila Denaj si ministre e Bujqësisë, ndërsa ministër Shteti për Pushtetin Vendor do të jetë Arbjan Mazniku.