Alarm nga aktivisti në Fushë Kosovë: Rruga publike është bërë pronë private, cenohen familjet

Aktivisti nga Fushë Kosova, Shkelzen Sylejmani ka dalë me një apel publik, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve pas një kontesti pronësor që, sipas tij, rrezikon t’i lërë gjashtë familje pa qasje në shtëpitë e tyre.

Ai thotë se para rreth një muaji kanë mësuar se disa persona, përmes një kontrate të lidhur te noteri në vitin 2023, pretendojnë se kanë blerë rrugën që familjet e zonës e kanë shfrytëzuar për më shumë se shtatë dekada.

Sipas tij, bëhet fjalë për një rrugë të asfaltuar nga Komuna e Fushë Kosovës, e pajisur me ndriçim publik, kanalizim dhe ujësjellës, e cila prej vitesh përdoret për qarkullimin e banorëve.

Aktivisti pretendon se personat në fjalë kanë shkuar deri te dera e shtëpisë së tyre dhe u kanë bërë të ditur se rruga është pronë private, duke paralajmëruar se, nëse nuk pranohen kushtet e tyre, do ta bllokojnë rrugën, madje edhe duke e mbjellë me patate.

Ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, Komunës së Fushë Kosovës, Drejtorisë së Kadastrës, Inspektoratit Komunal, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të hetojnë rastin, të sqarojnë ligjshmërinë e pretendimeve dhe të mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Po ashtu, ai u ka bërë apel edhe banorëve të Sllatinës që i njohin personat e përfshirë në këtë rast, duke kërkuar reflektim dhe zgjidhje pa cenuar të drejtën e kalimit të familjeve që, sipas tij, e kanë shfrytëzuar këtë rrugë prej dekadash.

Në fund, ai thekson se kërkon vetëm drejtësi, transparencë dhe zbatim të ligjit, duke shtuar se askush nuk duhet të mbetet peng i interesave private.