Reagojnë familjarët e Fjolla Morinës, kërkojnë ndërhyrje nga produksioni i “BBVK”-së

Familjarët e Fjolla Morinës kanë reaguar publikisht pas gjuhës dhe sulmeve të drejtuara ndaj saj brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova 4”.

Në reagimin e tyre, ata theksojnë se Fjolla nuk është thjesht një emër në ekran, por një grua që ka kaluar sfida të mëdha jetësore dhe ka qëndruar gjithmonë me dinjitet.

Sipas familjarëve, çdo fyerje apo sulm verbal ndaj saj tejkalon kufijtë e respektit dhe është i papranueshëm, veçanërisht në një format televiziv që ndiqet nga mijëra shikues dhe që ka përgjegjësi të ruajë standarde të qarta komunikimi.

“Fjolla është më shumë se një banore – ajo është nënë, grua e fortë dhe artiste që ka përballuar sfida të mëdha personale dhe profesionale. Çdo sulm ndaj dinjitetit të saj nuk është vetëm ndaj saj, por edhe ndaj familjes, mbështetësve dhe komunitetit që e respekton”, thuhet në reagim

Familjarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga produksioni i “Big Brother VIP Kosova”, duke theksuar se gjuha ofenduese dhe sulmet personale nuk duhet të tolerohen dhe nuk duhet të përsëriten.

Në fund të reagimit, ata shprehen të vendosur dhe të bashkuar në mbështetje të Fjolla Morinës, duke theksuar se respekti nuk është opsion, por detyrim