Motra e Shpatit e bëri me vaj një shqiptari, në varrimin e tij, para krejtve e tregoi amanetin që ia la para se të vdiste

Në Pallatin e Kulturës në Tetovë, në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi, familjarë, miq, kolegë të afërt dhe qindra adhurues të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit, i cili ka lënë një boshllëk të madh në botën e muzikës shqiptare dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.

Ceremonia mortore, e mbajtur paraditen e së dielës, ishte e ngarkuar me emocione të forta. Fotografi të Shpatit, lule dhe qirinj të ndezur rreth arkivolit krijonin një skenë prekëse, që pasqyronte dashurinë dhe respektin e thellë që njerëzit kishin për të.

Në mesin e të pranishmëve vërehej heshtja e rëndë dhe sytë e përlotur, teksa secili përpiqej të përballej me humbjen e befasishme të artistit.

Motra e këngëtarit, Jehona Kasapi, e cila kishte marrë fuqinë të mbante një fjalim për vëllain e saj, nuk mundi t’i përmbante lotët. E përkulur nga dhimbja dhe mallëngjimi, ajo foli me një zë të dridhur për Shpatin, duke e përshkruar si një njeri të jashtëzakonshëm, me zemër të madhe dhe shpirt të pastër.

“Sot, me zemër të thyer, jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim,” u shpreh ajo.

“Është tepër e vështirë të gjej fjalët që përshkruajnë dhimbjen që ndjej.

Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë. Ishe njeri i mirë, me një empati të rrallë që të bënte të ndjeje hallet e të tjerëve sikur të ishin të tuat. E doje jetën, e doje të qeshuren, dhe buzëqeshja jote ishte sinonimi yt.”

Jehona theksoi se Shpati kishte dashuri të veçantë për fëmijët dhe të moshuarit dhe se gjatë gjithë jetës së tij kishte treguar një shpirt të butë e të kujdesshëm.

Ndër të tjera, ajo u ndal edhe te amaneti që Shpati kishte lënë për djalin e tij, Roelin, duke thënë se familja do ta mbajë të gjallë këtë amanet dhe do ta plotësojë me përkushtim e dashuri.

Përtej dhimbjes, fjala e saj ishte edhe një mesazh mirënjohjeje për të gjithë ata që kishin ardhur të ndanin këtë moment të vështirë me familjen Kasapi.

Të pranishmit shpesh e ndërprenë fjalimin e saj me duartrokitje të lehta, si një shenjë respekti për artistin që la gjurmë në skenën muzikore shqiptare për më shumë se dy dekada./ORAinfo/