Mbrëmja e sotme e “Prime” në Big Brother VIP Kosova ka rezervuar një nga momentet më të papritura të këtij edicioni
.
Një situatë që nisi si provokim mes banorëve, ka përfunduar me një deklaratë të fortë nga Alba, e cila ka njoftuar drejtpërdrejt ndarjen nga partneri i saj jashtë shtëpisë.
Gjithçka nisi kur grupi i banorëve me Tonin në krye vendosi të fshehë “Stitch-in” e Albës, një lodër pellushi që për banoren ka një vlerë të madhe sentimentale, pasi është kujtim nga njeriu i saj i zemrës.
Por, ajo që pritej të ishte një dinamikë loje, preku një tel të ndjeshëm tek Alba. Reagimi i saj nuk ishte thjesht për objektin e humbur, por shërbeu si katalizator për të shprehur pakënaqësinë e akumuluar ndaj mungesës së mbështetjes nga jashtë.
E prekur dhe e zhgënjyer, Alba nuk i kurseu fjalët, duke i dhënë fund lidhjes në transmetim direkt. Ajo theksoi se përkushtimi i saj do të kishte qenë maksimal, ndryshe nga çfarë ka marrë mbrapsht.
“Për një muaj do e rrotulloja botën. Nuk kam pse të merrem me një njeri me fjalë boshe pa vepra. Mungesa e përkrahjes nga ai nuk meriton as një takim,” u shpreh ajo e revoltuar.
Alba zbuloi se kjo nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Ajo pranoi se marrëdhënia e tyre ishte në krizë edhe para se ajo të bëhej pjesë e formatit, duke e përshkruar situatën me shprehjen popullore: “Kemi qenë para Bigut në situatën ‘hyp se të vrava, zbrit se të vrava’.”
Edhe pse Alba nuk përmendi emra konkretë gjatë shpërthimit të saj emocional, dyshimet e publikut dhe rrjetit bien mbi Limin.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim nga pala tjetër, misterioze pas kësaj deklarate publike që vulosi fundin e romancës.


