Nesër i jepet lamtumira e fundit djalit që dyshohet se u vra nga vëllai, nuk do të hapet e pame

Një ngjarje tragjike ndodhi të dielën në mbrëmje në Prishtinë, ku u shënua një incident i rëndë që përfundoi me fatalitet. Për motive akoma të panjohura, Gent Myftari theri për vdekje me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin, te banesa e tyre në rrugën “Tirana”. Viktima dhe dorasi janë vëllezër të regjisorit kosovar, Agron Myftarit.

Përmes një postimi në Facebook, Agroni njoftoi se nesër i jepet lamtumira e fundit Auronit, në orën 12:00.

“Ju njoftojmë se varrimi i Auron (Hazir) Myftarit do të bëhet nesër (29 tetor 2024) me namazin e drekës (ora 12:00), në varrezat e qytetit në Arbëri. Njëkohësisht, ju njoftojmë se për shkak të rrethanave, familja nuk do të hapë të pame. Pritja do të bëhet vetëm në varreza.” – shkroi Myftari.

Motivet e rastit akoma nuk dihen, teksa tashmë ka nisur hetimi nga Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Genti po dyshohet se ia mori jetën vëllait të tij, Auronit – duke e therur disa herë me thikë, te kompleksi banesor ku ata jetonin.

Lidhur me rastin, edhe Prokuroria doli me njoftim.

Ndaj Gent Myftarit, tashmë është lëshuar urdhri për ndalim policor dhe Prokuroria deklaroi se rasti po hetohet në drejtim të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia.

Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person.”

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.