Ndahet nga jeta në moshë të re mësimdhënësja nga Malisheva

 

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët në Malishevë ka njoftuar se mësimdhënësja e lëndës së Artit Figurativ, Florentine Krasniqi-Mazreku, ka ndërruar jetë në moshë të re.

Vdekja e saj është një humbje e madhe për familjen, kolegët dhe nxënësit, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë për përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë e saj ndaj edukimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, shkolla shprehu ngushëllimet për këtë humbje të rëndë. Si shenjë respekti dhe zie, shkolla ka pezulluar mësimin sot, më 1 prill 2025 (e martë).

“Po ashtu, shkolla organizon një mbledhje komemorative në orën 13:30, e cila do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës ‘Tahir Sinani’. Në këtë mbledhje, do të kujtojmë me nderim dhe respekt jetën dhe kontributin e saj të çmuar në arsim. Varrimi i të ndjerës do të bëhet më 1 prill 2025, e martë, në orën 15:00, në varrezat e Malishevës“, thuhet në njoftim.

Në këto momente të vështira, shkolla dhe stafi i saj shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.