Merr fund hidhërimi mes “treshi përsheshit”, pajtohen Klodi, Elijona dhe Londrimi – krejt bashkë shkojnë në pushime

Treshi i shumëpërfolur i miqve, Klodi, Londrimi dhe Elijona, duket se mund të jetë duke kaluar një tjetër kapitull në marrëdhënien e tyre.

Pas një periudhe me distancë, heshtje dhe shumë pikëpyetje nga ndjekësit, duket se miqësia e tyre po shkon drejt një afrimi të ri.

Ata kanë qenë një prej grupeve më të komentuar dhe më të dashur për publikun, si gjatë kohës kur ishin bashkë brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj.

Megjithatë, si çdo miqësi, edhe e tyre ka pasur momentet e veta të vështira, me ulje dhe ngritje që nuk i shpëtuan syrit të publikut.

Thashethemet për një krisje mes treshes nisën të qarkullonin prej kohësh, ndërsa mungesa e daljeve të përbashkëta dhe distanca e krijuar mes tyre shtuan dyshimet se diçka nuk po shkonte si më parë.

Një nga momentet që bëri më shumë bujë ishte eventi i Tayna-s më 1 qershor, ku Klodi, Londrimi dhe Elijona u panë të ulur të ndarë nga njëri-tjetri, duke bërë që shumë ndjekës të mendonin se raporti i tyre kishte ndryshuar.

Situata u komentua edhe më shumë kur dy prej tyre munguan në promovimin e EP-së së Londrimit. Ky veprim u interpretua nga shumë persona si një shenjë tjetër e largimit mes tyre, duke bërë që aludimet për një prishje të miqësisë të shtoheshin edhe më tepër.

Por duket se historia mund të ketë marrë një kthesë tjetër.

Dyshimet për një afrim të mundshëm nisën nga postimet e fundit të tyre në rrjetet sociale, ku ndjekësit më të vëmendshëm vunë re disa detaje interesante.

Të tre janë parë duke kaluar kohë në jug të Shqipërisë dhe, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen, është fakti se ndodheshin në zona shumë pranë njëri-tjetrit.

Këto lëvizje kanë bërë që shumë fansa të dyshojnë se mes tyre mund të ketë pasur një takim dhe një përpjekje për të rregulluar raportin.

Sipas informacioneve të bëra publike, gjatë këtyre ditëve ka pasur një takim mes tyre, ndërsa një fotografi e shkrepur në jug të Shqipërisë gjatë ditës së sotme ka shtuar edhe më shumë dyshimet se miqësia e tyre mund të jetë duke u rikthyer.

Nëse kjo është një pajtim i plotë apo vetëm një hap i parë drejt një afrimi, mbetet ende për t’u parë.

Megjithatë, duket se tensionet e muajve të fundit mund të jenë duke u lënë pas dhe se treshja po përpiqet të gjejë sërish gjuhën e përbashkët.

Fansat e tyre tashmë presin të shohin nëse Klodi, Londrimi dhe Elijona do të rikthehen sërish si dikur, krah njëri-tjetrit në dalje publike, fotografi dhe momente të përbashkëta, apo nëse ky takim ishte thjesht një hap drejt qetësimit të situatës. Përgjigjen do ta tregojnë ditët në vazhdim.