Një lajm i gëzueshëm ka ardhur nga Familja Mbretërore Shqiptare, e cila është bekuar me ardhjen në jetë të një anëtari të ri.
Princ Leka dhe Princesha Blerta janë bërë prindër për herë të parë, duke mirëpritur një djalë, të cilin kanë vendosur ta pagëzojnë me emrin Aleksandër.
Lajmi i veçantë është bërë i ditur nga ish-drejtori i komunikimit të Familjes Mbretërore, Erion Teli, përmes një postimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka ndarë emocionet e tij për këtë moment të rëndësishëm, duke shprehur gëzimin dhe urimet për familjen mbretërore.
Në mesazhin e tij, Teli ka treguar se e ka pritur me emocion këtë ditë dhe se lindja e Princit Aleksandër ka qenë një moment i shumëpritur për të gjithë mbështetësit e Familjes Mbretërore Shqiptare.
“Princi Aleksandër i shqiptarëve sapo u lind… Që nga ora 5:30 e mëngjesit e kam parë orën pa pushim. Sot është një nga ato ditë që fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gëzimin.
Mbrëmë, në lutjen time, i kërkova Perëndisë ta bekonte Princeshën Blerta, t’ia lehtësonte çdo çast të kësaj dite dhe të ishte pranë saj. Sot besoj se Ai e dëgjoi atë lutje”, ka shkruar ai.
Përveç urimit për lindjen e vogëlushit, Erion Teli ka shprehur edhe mirënjohjen e tij ndaj Princeshës Blerta për afërsinë dhe respektin që ajo ka treguar ndaj mbështetësve të Familjes Mbretërore Shqiptare.
Ai ka vlerësuar mënyrën e ngrohtë me të cilën Princesha Blerta ka komunikuar me ta, duke theksuar se ajo i ka bërë të ndihen pjesë e momenteve të rëndësishme të familjes.
“Në këtë ditë kaq të veçantë dua t’i them vetëm një gjë Princeshës sonë: Faleminderit. Faleminderit që na ke duruar ne, monarkistët, me gjithë padurimin, emocionet dhe dashurinë tonë për Familjen Mbretërore.
Gjithmonë na ke pritur me mirësi, përulësi dhe një buzëqeshje që na ka bërë të ndihemi si pjesë e këtij gëzimi”, ka shkruar Teli.
Në fund të reagimit të tij, ai ka uruar mirëseardhjen e Princit të ri dhe ka përcjellë urimet më të mira për familjen.
“Mirë se erdhe në jetë, Lartësia e Tij Mbretërore, Princ Aleksandër! Zoti e bekoftë Familjen Mbretërore Shqiptare”, ka shkruar ai.
Deri në këto momente, Princ Leka dhe Princesha Blerta nuk kanë reaguar ende publikisht për lindjen e djalit të tyre dhe nuk kanë ndarë detaje të tjera me publikun.
Ndërkohë, lajmi është pritur me urime të shumta nga mbështetësit e Familjes Mbretërore Shqiptare, të cilët kanë shprehur gëzimin për ardhjen në jetë të trashëgimtarit të ri.



