Lajm i hidhur: Vdes aktori i komedisë “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”

Ka vdekur regjisori mitrovicas, Sadedin Prekazi.

Lajmin për vdekjen e tij e dhanë familjarët.

Prekazi ishte regjisor dhe aktor dhe përveç në produksione të tjera, për shumë kosovarë mbahet në mend për performancën e tij në serinë e njohur të zhanrit komedi menjëherë pas luftës, Mahmutovitët dhe Rexhepovitët, në rolin e delegatit për pajtimin e gjaqeve. Seria me skenarin e aktorit ikonik, Adem Mikullovci, ishte edhe kritikë kulturore ndaj aspekteve të kulturës shqiptare.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër me drekë në varrezat e Dragodanit. E pamja bëhet 3 ditë pas varrimit në Hoteln Grand në Prishtinë.

Postimi:

Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot në mëngjes ndërroi jetë më i dashuri ynë, Sadedin Prekazi.
I ndjeri ishte aktor dhe regjisor i përkushtuar, i cili me talentin, pasionin dhe përulësinë e tij la gjurmë të çmuara në art dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.
Përveç kontributit të tij në skenë, ai ishte burrë shembullor, baba i dashur dhe gjysh i përkushtuar, i cili jetoi me dinjitet, mirësi dhe dashuri për familjen e tij.
Varrimi bëhet nesër me drekë në varrezat e Dragodanit.
E pamja bëhet 3 ditë pas varrimit në Hoteln Grand në Prishtinë.

E pikëlluar,
Familja Prekazi