Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të mësuesit të tij të dashur, Xhylazim Peci. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri ka ndarë fjalë të ndjera për njeriun që, siç thotë ai, “mbolli arsim e kulturë”.
“Pusho n’paqe mësuesi im, Xhylazim Peci. ‘Nëse do të mbjellesh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse do të mbjellesh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë’. Mësuesi im, këtë t’fundit mbolli”, ka shkruar Peci.
Në mesazhin e tij, ministri e ka përshkruar Xhylazim Peci-n si “shpirt të pastër, avangard të reformës në arsim dhe shembull të njeriut modern, që nuk dha vetëm mësim, por dha udhë e kulturë”. Peci ka kujtuar edhe lidhjen e gjatë miqësore mes familjeve të tyre, duke theksuar se ajo “ishte e skalitur në gur për gjysmë shekulli”.
Sipas tij, mësuesi Peci ishte i përkushtuar ndaj atdheut dhe veprimtarinë patriotike nuk e ndali deri në frymën e fundit, duke lënë pas ideale të pastra e të qëndrueshme. “Askush s’ja mban mend një fjalë të keqe… vetëm butësi, mirësi e vepra të mëdha që flasin për të.
Lamtumirë, mësues i dashur. Do t’i ruaj me fanatizëm kujtimet më të mira për ju”, ka përfunduar ai.


